Nga: Refat Hoxha: Sefer Hoxhalli, dy vjet pa mikun tonë poet!


Sefer Hoxhalli, dy vjet pa mikun tonë poet!
Nga: Refat Sh Hoxha

Hej, mik i dashur, ç’kemi andej nga Qyteza e Përjetshme?
Besoj se të kanë ardhur mesazhet, që të kam dërguar dhe, më beso, do të të shkruaj dhe shumë të tjera.

Sot ta ndjej mungesën më shumë se çdo ditë. Mënyra se si u largove kaq papritur, më 13 tetor,duket sikur mund të rishfaqesh përsëri në çdo kohë , papritur, ashtu siç ike e të na thuash: Hej, miq, këtu jam mes jush, sepse ende ndjehesh shumë afër

Në një çast, vetëm në një çast, një mik i sinqertë, një prind shembullor, një poet i ëmbël , u shndërrove në një kujtim.
Nga ato që jetojnë gjatë, që të bëjnë të psherëtish:
…Eh, sa shpejt na iku një mik i mirë, një shpirt human, një poet i këndshëm me tërë ato botime e çmime.

Disa nga gjërat më të bukura në jetë kështu mbarojnë, papritur dhe pa paralajmërim, por kjo nuk i bën ato më pak të bukur.
Ti u largove shumë herët, para se të provonim atë pijen tonë të parë, por shpresoj të më mirëpresësh me një të tillë në Qytezën e Përjetshme.
Kur gjithçka ndryshon në një moment, ne jemi mirënjohës për miqësinë që ndamë sinqerisht..
Në çastin që u largove, le pas mësimin universal, miqësia e vërtetë mbijeton më gjatë, se miqtë që e ndajnë atë.

Desha të të them se që kur je larguar ti nga kjo botë, njerëzit e ndyrë shumohen akoma dhe më shumë.
Po, po, ata njerëz që të bëjnë t’i pështysh në fytyrë, por ti e di ata nuk kanë fytyrë, veç maska.
Ata njerëz që të bëjnë t’i ofendosh e t’ua kthesh “me libër shtëpie”, siç thotë miku ynë.
Po. po. ata njerëz që shkojnë nga t’i marrë era. Janë bërë të padurueshëm, miku im, ndaj dua t’ua heq maskat një nga një.

Dhe pastaj vijnë ata/ato, që nuk pushojnë së foluri, nuk mund të qendrojnë as një sekondë pa të komentuar poezinë, krijimtarinë, të folurit, veshjen,veprimet etj etj…
…Oh, të lutem shumë, para se të merresh me veshjen time, shiko atë bluzën tënde të tejdukshme si cipë gjarpri, që të nxjerr lakuriq.
Disa duhet t’i përplasësh për muri, që ta kuptojnë se kush je.

Miku im,
Për sa kohë do të bëj hije në këtë dhé, këtë botë do ta shoh edhe për ty. sikur të jemi të dy bashkë.
Sa të mundem, ashtu siç bëje ti, do të qesh me budallenjte, do te fershellej me zogjtë, do të urrej mosmirë johësit, do të këndoj me lulet, do të ironizoj hipokritët, do t’u lutem yjeve të shndrisin më shumë, do t’i përunnjem Hënës të ndalet pak sipër nesh në rrugëtimin tonë mjegullor.

I dashur mik, errësira që ke lënë është shumë e madhe. Kam ardhur disa herë pranë teje, aty ku prehesh i qetë,
Dhe në këto momente më vijnë në mendje vargjet e poetes Mimoza Ahmeti:
“Por errësira paskësh qenë kaq e madhe, kaq pa fund, e dhimbja sa ndriçimi”.

Të jesh i sigurtë se nuk mund dhe nuk do të harrohesh lehtë.
Filosofët thonë: “gjërat që jetojnë duhet të vdesin, njerëzit e mirë jetojnë më pak”.
Mbase kanë të drejtë.
Rri në pritje, mesazhe të tjera do të të nis.

Google search engine