Vasil Stefa, Jetimi që u bë “Mjeshtër i madh i punës”

Nga: Refat Hoxha/ Jeta e Vasil Stefës, në këndvështrimin tim, ishte më shumë se historia e rëndomtë e një jetimi. Ajo nuk ngjante as me ato që shohim, lexojmë apo dëgjojmë në jetën e përditshme. Ajo më ngjante gati-gati me një ëndërr brenda ëndrrës. Kam besuar se është e tillë, sepse ai gjatë gjithë jetës së tij u përball me vështirësi, me sakrifica të mëdha, por fundin e rrugëtimit njerëzor e mbylli si të gjithë ata njerëz, të cilët e gjejnë lavdinë tek “shenjtëria e punës”.

E kam njohur vite të shkuara, kam qenë inkurajues dhe mbështetës aktiv i besimit të tij të patundur “se me punë arrihet gjithçka”. Në përfytyrimin tim “e kujtoj “gjithnjë me një dosje të thjeshtë kartoni në dorë, brenda së cilës ndodheshin skica, vizatime, literatura që kish shfletuar, përllogaritjet që kish bërë, përvojën e vet të gjatë e të mjeshtërve të tjerë. Gjithçka ndodhej brenda asaj dosjeje, që ai nuk e hiqte asnjëherë nga vetja, e cila qe bërë pjesa më e rëndësishme e jetës së tij, aq sa mua më dukej se ai “komunikonte” me të, kohë e pakohë, sikur ajo të ishte gjallesë, që merrte frymë.

Ëndrra dhe pasioni, besimi në vetvete për të arritur doemos suksesin ka qenë motoja e jetës së tij. Nuk janë vetëm pasionet e ëndrrat që mund ta lartësojnë shpirtin e njeriut për të bërë gjëra të rëndësishme. Veprat e mëdha marrin nxitje nga ëndrrat e mëdha dhe ato arrihen vetëm me punë këmbëngulëse, e cila kishte gjetur vendin e saj në karakterin e pathyeshëm të Vasil Stefës.
2. Vasil Stefa është lindur më 01 janar të vitit 1938 në qytetin e Kavajës. I ati, Peti, i la dy djemtë jetimë në moshë fare te mitur, Vasilin 3 vjeç dhe Stefanin vetëm 1 vjeç. Dy jetimët u rritën dhe u edukuan me sakrificat e nënës së tyre, që mbeti vejushë në moshën 22 vjeçare.
Arsimin 7-vjeçar e kreu në shkollën “29 Nëntori”, sot shkolla “Rilindja” Vasili që në vogëli e donte shkollën, adhuronte mësuesit e tij që e inkurajonin, i donte librat, të cilat nuk i hoqi nga duart tërë jetën. Ëndërronte të bëhej inxhinier mekanik, por kushtet ekonomike nuk e mundësonin realizimin e kësaj ëndrre.

Të afërmit dhe e ëma e regjistruan “çirak” në repartin e punimit të bakrit, që ai të merrte një profesion e t’i vinte sa më shpejt në ndihmë familjes. Vasili punonte paradite, shkollën e ndiqte pasdite. Mjeshtërit bakërpunues të qytetit Thoma Durja, Prof e Taq Rusi, Xhoxhi Thanasi, Vlash e Kozma Rusi, Vasil Dimroçi, Pilo Mitrushi me dy vëllezërit e vet, Vlash Mitrushi, Vasi Rusi e të tjerë. Ata mjeshtër cilësorë u bënë “pedagogët” e parë të tij, që e ndihmun atë të rritej e të bëhej ai, që realisht u bë.

3. Atij iu besua drejtimi i Ndërmarrjes së Prodhimit të Qilimave, një qendër pune, ku punonin vajza e nëna. Detyra që iu ngarkua, të cilën ai e vlerësoi si lartësi mali që do ta ngjiste deri në majë, ishte ajo e drejtorit të cilën ai e priti me shumë optimizëm e, njëherësh, edhe si sprova e parë e jetës së vet, ku ai do të shfaqte personalitetin e tij. Ai u përpoq me të gjitha forcat e veta t’i jepte asaj ndërmarrjeje profilin e një “shtëpie” të madhe, të ngrohtë, dashamirëse e humane. Vasil Stefa nuk ishte për ‘to vetëm drejtori, por biri dhe vëllai i tyre, të cilin ata e respektuan gjithë jetën për mënyrën njerëzore, që ai i trajtoi. Grave me probleme shëndetësore ai u krijoi kushte që një pjesë të punëve të repartit të ambalazhit t’i kryenin në kushtet e shtëpisë, duke i mundësuar ato të ndjeheshin më pak të lodhura e të stresuara e, njëherësh, të kujdeseshin për fëmijët dhe familjarët e tyre.
Nënat dhe vajzat e Ndërmarrjes së Prodhimit të Qilimave e kanë shprehur respektin dhe nderimin e tyre për drejtorin Vasil Stefa, duke e vlerësuar atë “Vasili ynë”.

4. Në vitin 1967 e thirrën në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave. E vlerësuan për arritjet që kishte patur në Ndërmarrjen e Prodhimit të Qilimave dhe e njoftuan se ai do të transferohej në një detyrë tjetër mjaft të rëndësishme “Përfaqësues i Ministrisë së Industrisë të Ndërtimit dhe Minierave” për ndërtimin e një fabrike të re në qytetin e Kavajës, Fabrika e Qelq-Xhamit, e cila përfundoi së ndërtuari në vitin 1970. Gjatë 3 vjetëve të ndërtimt të Fabrikës së Qelq-Xhamit, Vasil Stefa shfaqi cilësitë e karakterit të vet, ndershmërinë, komunikimin mirëkuptues, korektesën në marëdhëniet me specialistët shqiptarë e kinezë të ndërtimit, ndjekjen e të gjitha problemeve dhe informimin e pandërprerë për ecurinë e punës.

5. Pas përfundimit të ndërtimit të Fabrikës së Qelq-Xhamit e thirrën në Durrës dhe e njoftuan që ishte caktuar në kooperativën e Synejit si sekretar i byrosë së partisë. …Unë nuk i trembem asnjë lloj pune, ju falenderoj për vlerësimin që i bëni punës sime të deritanishme,-tha ai,- por unë kam dëshirë t’i kthehem punës dhe profesionit tim në repartin e përpunimit të bakrit. …E njohim mirë punën tënde, e njohim mirë karakterin tënd, i njohim mirë aftësitë tuaja, ndaj gjykuam që edhe atje ju do të jepni kontributin tuaj… Pastaj, atje nuk do të rrini shumë kohë,… atje ka disa probleme dhe ne jemi të bindur që puna juaj do të ndihmojë në zgjidhjen e tyre.

Banorët e atyre fshatrave i ishin mirënjohës atij burri, që la gjurmë në përmirësimin e infrastrukturës dhe të jetës së tyre, duke këmbëngulur që fëmijët e vegjël të fshatarët, prodhues të grurit, të ushqeheshin me bukë gruri për mirërritjen e tyre. Vasil Stefa ka dhënë kontributin e tij pranë Komitetit Ekzekutiv të qytetit të Kavajës për të ndihmuar bashkëqytetarët hallexhinj.

6.Vasil Stefa asnjëherë në jetën e tij nuk ka patur qëllim karierën zyrtare. I rritur dhe edukuar me ndjenjën se puna është themeli i gjithçkaje, ai ishte i prirur të shkonte atje, ku e caktonin. Nga fillimi i viteve “80-të, ai iu kthye ëndrrës së tij të parë. E emëruan drejtues të byrosë teknologjike të përpunimit të bakrit artistik. Idetë që kishte i përpunoi e i pasuroi me elemente të reja në biseda e diskutime me inxhinierë, specialistë, mjeshtër të talentuar, piktorë, poetë e shkrimtarë për të arritur ndryshimin e madh në përpunimin e bakrit artstik Kjo punë e lodhshme, kërkuese u kurorëzua me sukses. Ai projektoi dhe prodhoi një linjë të re teknologjike, e cila prodhonte produktet e reja artistike të bakrit pa ngjitje dhe njëcopëshe. Kjo linjë e re teknologjike rriti cilësinë e produkteve të bakrit artistik.

7. Linja e re teknologjike e bakrit artistik u vlerësua një arritje e madhe novatore. Bashkia Kavajë në vitin 2002 i propozoi Presidencës së Republikës së Shqipërisë të vlerësonte punën e novatorit Vasil Stefa. Në vitin 2005 Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu e dekoroi me Urdhërin e Lartë ”Mjeshtër i Madh i Punës ” Vasil Peti Stefën nga Kavaja, mjeshtër i përpunimit të bakrit artistik. Vasil Stefa u nda nga jeta më 16 shkurt të vitit 2012. U largua nga kjo botë i lumtur. Kishte arritur ëndrrën e tij të madhe. Kish lënë pas një emër dhe shembullin e një jetimi që me punë arriti gjithçka. Marrë me shkurtime nga libri “Njerëz, karaktere, mbresa”

Google search engine