Djali i Tom Doshit shkaktoi aksident, por policia e la të ikte, pyetet Drejtori i Policisë Lezhë

Drejtori i Policisë Vendore të Lezhës, Alfred Elezi, është marrë në pyetje nga prokuroria, në lidhje me rastin e aksidentit te djalit të ish-deputetit Tom Doshi, James Doshi.

Elezi, të martën e 23 prillit, për rreth 2 orë ka dhënë shpjegime në lidhje me rolin e tij, përballë prokurorit Sabri Kastrati dhe 2 oficerëve të policisë gjyqësore.

Organi i akuzës ka dyshime se ai ka ndërhyrë përmes një telefonate te shefi i qarkullimit Ismet Sula, për të favorizuar djalin e Doshit, por kjo pritet të vërtetohet ose të hidhet poshtë edhe pas ekzaminimeve të tabulateve telefonike.

Krahas procedimit për shpërdorim detyre, pritet të regjistrohet dhe akuza e ndikimit të paligjshëm, kjo në varësi të vijimësisë së hetimeve.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se me vendim të prokurorit është vënë në sekuestro makina tip “Lexus” e James Doshit, me të cilët bëri aksidentin në datën 17 mars.

Prokuroria e Lezhës ka nisur hetimet për Drejtorinë Vendore të Policisë të këtij qarku, ku përfshihen drejtuesit e uniformave blu. Mësohet se se Gjykata ka urdhëruar pezullimin nga puna të shefit të qarkullimit rrugor në Lezhë, Ismet Sula.

Vendimi është marrë pas nisjes së hetimeve në lidhje me një aksident të ndodhur para pak ditësh në rrugën nacionale Lezhë-Laç.

Në këtë aksident është përfshirë djali i ish-deputetit Tom Doshi i cili ka përplasur një tjetër mjet ku po udhëtonin një çift bashkëshortësh.

Sipas hetimeve, djali i Tom Doshit ka qenë fajtor, por është ndihmuar dhe favorizuar nga policia për tu larguar nga vendngjarja.

Hetimet zbuluan se policia nuk ka kryer veprimet sipas ligjit.

Efektivët akuzohen për “shpërdorim detyre”.

Ndërkohë Prokuroria po heton edhe shefat dhe drejtuesit e tjerë të policisë së Lezhës për të zbuluar se kush ka urdhëruar favorizimin e djalit të Tom Doshit.

Google search engine