Dyshime për korrupsion në Bashkinë Kavajë, Fisnik Qosja tenderon 440 milionë lekë pa garë për “blerje asfalti”

Fisnik Qosja premtoi transparencë dhe ndalim të aferave korruptive në Bashkinë e Kavajës,  nëse do të zgjidhej në krye të këtij institucioni.

Por premtimi duket se u harrua pasi ai mori detyrën e Kryetarit të Bashkisë. Vetëm pas 6 muajsh në detyrë, në Janar të këtij viti Bashkia e Kavajës nisi procedurat për një tender miliona lekë nën dyshimet për korrupsion.

Në 31 Janar të 2024 Bashkia e Kavajës si autoritet kontraktues ka nisur procedurat për tenderin e mbajtur më 19 shkurt, me objekt blerje asfalti në vlerën e 37.5 milionë lekëve të rinj. Ndonëse me “Procedurë të Hapur”, fituesi i punës dhe parave publike duket se ishte caktuar përpara hapjes së garës.

PROCEDURA E TENDERIT

Në tenderin me Nr. Reference 94268 për “Blerje asfalti” me afat 6 mujor morën pjesë 4 operatorë. Ky tender u fitua nga kompania “A.L-ASFALT S” me administratorë Astrit Varaku dhe Luan Mema.

Sipas Agjensisë së mbikqyrjes dhe Kontrollit të procedurave të tenderimeve, në këtë tender nuk ka pasur garë dhe e ka pasqyruar me Flamur të Kuq. Kjo pasi, 3 konkurentë e tjerë përvec fituesit, janë skualifikuar për të njëjtën arsye, në dukje qesharake.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Kavaja.Net, tre operatorëve u mungonte “Një kamion vetëshkarkues me 4 akse”, një kriter shtesë i vendosur nga Bashkia, mesaduket për të përcaktuar fituesin. Në procedurë nuk është paraqitur asnjë arsye e vendosjes së këtij kriteri që përjashtoi tre kompanitë nga gara.

DYSHIMET PËR KORRUPSION

Më datë 05.03.2024, pranë Komisionit të Prokurimit Publik është administruar ankesa e operatorit ekonomik “Rruga Ura Asfaltim Nr.2 Elbasan”, SHPK dhe objekti i ankesës lidhet me vendimmarrjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave mbi skualifikimin e ofertës të paraqitur nga ky operator ekonomik në procedurën e tenderimit për “blerje asfalti” nga bashkia e Kavajës. Për këtë tender, Fisnik Qosja ka shpallur fituese firmën me ofertën më të lartë, firmën A.L-ASFALT në pronësi të Astrit Varaku dhe Luan Mema.

Kjo firmë fitoi me vlerën 37,001,301 lekë të reja pa TVSH ose rreth 440 milionë lekë të vjetra duke përfshirë TVSH. Nëse krahasojmë këtë vlerë me vlerën më të ulët të ofruar nga të tjerët, del një diferencë prej gati 150 milionë lekësh të vjetra me TVSH. Vlera fituese del sa 99% e fondit limit, njësoj si tenderat e bashkive të drejtuara nga rilindja. Aasfalti që do të përdoret për të mbushur gropat e rugëve të qytetetit do t’I kushtojë qytetarëve 150 milionë lekë më shumë, vetëm se 3 kompanitë e tjera pjesëmarrëse në garë nuk kishin një kamion vetëshkarkues me 4 akse.

/Kavaja.Net

Google search engine